Jump to content

Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli IV

From Wikisource
Kapitulli III Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës)
nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës
Kapitulli V



Neni 63 [Parimet e Përgjithshme]

[edit]
  1. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

Neni 64 [Struktura e Kuvendit]

[edit]
  1. Kuvendi ka njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë bazuar në listat e hapura. Vendet në Kuvend ndahen midis të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme, të fituara prej tyre, në zgjedhjet për Kuvendin.
  2. Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës, si vijon:
    1. partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10);
    2. partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim: komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara.

Neni 65 [Kompetencat e Kuvendit]

[edit]
  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës:
    1. miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme;
    2. vendos të ndryshojë Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
    3. shpall referendum, në pajtim me ligjin;
    4. ratifikon traktatet ndërkombëtare;
    5. miraton Buxhetin e Republikës së Kosovës;
    6. zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit;
    7. zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës në pajtim me këtë Kushtetutë;
    8. zgjedh Qeverinë dhe shpreh mosbesimin ndaj saj;
    9. mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit;
    10. zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë;
    11. propozon gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;
    12. mbikëqyr politikën e jashtme dhe të sigurisë;
    13. jep pëlqimin për dekretin e Presidentit mbi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
    14. vendos për çështjet me interes të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj.

Neni 66 [Zgjedhja dhe Mandati]

[edit]
  1. Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
  2. Zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.
  3. Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.
  4. Mandati i Kuvendit të Kosovës mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme për masa emergjente të mbrojtjes ose në rast të rrezikut ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike të Republikës së Kosovës, dhe vetëm për aq sa zgjat Gjendja e Jashtëzakonshme, siç është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
  5. Kushtet, zonat dhe procedurat zgjedhore, rregullohen me ligj.

Neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]

[edit]
  1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.
  2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  4. Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.
  5. Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
  6. Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës të Kuvendit.
  7. Kryetari i Kuvendit:
    1. përfaqëson Kuvendin;
    2. përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat;
    3. nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi;
    4. ushtron edhe funksione të tjera, në bazë të kësaj Kushtetute dhe Rregullores së Punës të Kuvendit.
  8. Në rast mungese ose pamundësie për të ushtruar funksionin, Kryetarin e Kuvendit e zëvendëson njëri nga nënkryetarët.

Neni 68 [Seancat]

[edit]
  1. Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës janë publike.
  2. Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës mund të jenë të mbyllura me kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës, të Kryeministrit ose të një të tretës (1/3) së deputetëve, në rastet e përcaktuara me Rregulloren e Punës të Kuvendit. Vendimi miratohet në mënyrë të hapur e transparente dhe kërkon votën e dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë.

Neni 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi]

[edit]
  1. Kuvendi i Kosovës punimet vjetore i zhvillon në dy sesione.
  2. Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, kurse sesioni vjeshtor fillon të hënën e dytë të muajit shtator.
  3. Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  4. Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një të tretës (1/3) të deputetëve.

Neni 70 [Mandati i Deputetëve]

[edit]
  1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati

detyrues.

  1. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
  2. Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse:
    1. nuk bën betimin;
    2. jep dorëheqjen;
    3. emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës;
    4. përfundon mandati i Kuvendit;
    5. mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe;
    6. dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim;
    7. ajo/ai vdes.
  3. Vendet e liruara të deputetëve në Kuvend, plotësohen menjëherë, në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligjin.

Neni 71 [Kualifikimet dhe Barazia Gjinore]

[edit]
  1. Secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet.
  2. Përbërja e Kuvendit të Kosovës do të respektoj parimet e barazisë gjinore të cilat janë të pranuara në pajtim me parimet ndërkombëtare.

Neni 72 [Papajtueshmëria]

[edit]
  1. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.

Neni 73 [Pamundësia e Kandidimit]

[edit]
  1. Nuk mund të kandidohen dhe as të zgjidhen deputetë të Kuvendit, pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre:
    1. gjyqtarët dhe prokurorët;
    2. pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës;
    3. pjesëtarët e Policisë së Kosovës;
    4. pjesëtarët e Doganave të Kosovës;
    5. pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
    6. udhëheqësit e agjencive të pavarura;
    7. përfaqësuesit diplomatikë;
    8. kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
  2. Nuk mund të kandidohen për deputetë personat e privuar nga zotësia juridike për të vepruar, me vendim përfundimtar të gjykatës.
  3. Kryetarët dhe zyrtarët e tjerë, të cilët mbajnë përgjegjësi ekzekutive në nivel komune, nuk mund të zgjidhen si deputetë të Kuvendit pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre.

Neni 74 [Ushtrimi i Funksionit]

[edit]
  1. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.

Neni 75 [Imuniteti]

[edit]
  1. Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit.
  2. Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Neni 76 [Rregullorja e Punës]

[edit]
  1. Rregullat e Punës së Kuvendit miratohen me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij dhe përcaktojnë organizimin e brendshëm dhe mënyrën e punës së Kuvendit.

Neni 77 [Komisionet]

[edit]
  1. Kuvendi i Kosovës emëron komisione të përhershme, komisione funksionale dhe komisione ad hoc, që pasqyrojnë përbërjen politike të Kuvendit.
  2. Kuvendi, me kërkesën e një të tretës (1/3) së të gjithë deputetëve të tij, cakton komisione për një çështje të veçantë, duke përfshirë edhe çështje hetimore.
  3. Së paku një zëvendëskryesues i secilit komision parlamentar, do të jetë nga radhët e komunitetit tjetër nga ai i kryesuesit.
  4. Pushtetet dhe procedurat e komisioneve përkufizohen me Rregulloren e Punës të Kuvendit.

Neni 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve]

[edit]
  1. Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve është komision i përhershëm i Kuvendit. Ky komision përbëhet nga një e treta (1/3) e anëtarëve që përfaqësojnë grupin e deputetëve të Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb, nga një e treta (1/3) e anëtarëve që përfaqësojnë grupin e deputetëve të Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë, dhe një e treta (1/3) e anëtarëve nga komuniteti shumicë, të përfaqësuar në Kuvend.
  2. Me kërkesën e cilitdo anëtar të Kryesisë së Kuvendit, çdo ligj i propozuar do të dorëzohet në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve. Komisioni, me shumicën e votave të anëtarëve të tij, do të vendosë nëse do të bëjë rekomandime në lidhje me ligjin e propozuar brenda dy javësh.
  3. Për të siguruar që të drejtat dhe interesat e komuniteteve janë adresuar si duhet, Komisioni mund t’i bëjë rekomandime komisionit tjetër përkatës ose Kuvendit.
  4. Komisioni, me nismën e vet, mund të propozojë ligje dhe masa të tilla të tjera brenda përgjegjësive të Kuvendit, të cilat i konsideron se janë të duhura për të adresuar interesat e komuniteteve. Anëtarët e Komisionit mund të japin mendime individuale.
  5. Një çështje mund t’i referohet komisionit për mendim këshillimor nga Kryesia e Kuvendit, një komisioni tjetër, ose një grupi të përbërë nga të paktën dhjetë (10) deputetë të Kuvendit.

Neni 79 [Nisma Legjislative]

[edit]
  1. Nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Neni 80 [Miratimi i Ligjeve]

[edit]
  1. Ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë.
  2. Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin.
  3. Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.
  4. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
  5. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
  6. Ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Neni 81 [Legjislacioni me Interes Vital]

[edit]
  1. Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë:
    1. ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare;
    2. ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë;
    3. ligjet për përdorimin e gjuhëve;
    4. ligjet për zgjedhjet lokale;
    5. ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
    6. ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare;
    7. ligjet për arsimin;
    8. ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.
  2. Asnjëri nga ligjet me interes vital, nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.

Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]

[edit]
  1. Kuvendi shpërndahet në këto raste:
    1. nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;
    2. nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;
    3. nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
  2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.