Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli VI
Appearance
←Kapitulli V | Kushtetuta e Republikës së Kosovës Kapitulli VI (Qeveria e Republikës së Kosovës) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës |
Kapitulli VII→ |
Neni 92 [Parimet e Përgjithshme]
[edit]- Qeverinë e Kosovës e përbëjnë Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.
- Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligj.
- Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
- Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese e akteve të tjera, si dhe mund të japë mendimin rreth projektligjeve të cilat nuk janë të propozuara nga ajo.
Neni 93 [Kompetencat e Qeverisë]
[edit]- Qeveria ka këto kompetenca:
- propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit;
- mundëson zhvillimin ekonomik të vendit;
- propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera;
- merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve;
- propozon Buxhetin e Republikës së Kosovës;
- udhëzon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës;
- udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e shërbimeve publike;
- i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës;
- propozon amendamentimin e Kushtetutës;
- mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
- ushtron edhe funksione të tjera ekzekutive, të cilat nuk u janë caktuar organeve të tjera qendrore ose vendore.
Neni 94 [Kompetencat e Kryeministrit]
[edit]- Kryeministri ka këto kompetenca:
- përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë;
- siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare;
- siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë;
- ndërron anëtarët e Qeverisë, pa pëlqimin e Kuvendit;
- kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës;
- emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës;
- këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës;
- së bashku me Presidentin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
- këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit;
- kryen edhe punë të tjera, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]
[edit]- Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
- Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
- Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
- Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
- Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.
- Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.
Neni 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve]
[edit]- Ministritë dhe organet e tjera ekzekutive themelohen, sipas nevojës, për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë.
- Numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj.
- Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.
- Do të jenë së paku dy (2) zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy (2) zëvendësministra nga komunitete të tjera joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një (1) tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë.
- Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë.
- Papajtueshmëria e anëtarëve të Qeverisë lidhur me funksionet e tyre rregullohet me ligj.
Neni 97 [Përgjegjësia]
[edit]- Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.
- Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat mbajnë bashkëpërgjegjësinë për vendimet që merr Qeveria, dhe përgjegjësinë individuale për vendimet që marrin në fushat e përgjegjësive të tyre.
Neni 98 [Imuniteti]
[edit]- Anëtarët e Qeverisë së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si anëtarë të Qeverisë.
Neni 99 [Procedurat]
[edit]- Mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri rregullohen me ligj dhe me rregullore.
Neni 100 [Mocioni i Votëbesimit]
[edit]- Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Votëbesimin e Qeverisë mund ta kërkojë Kryeministri.
- Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
- Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
- Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
- Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.
Neni 101 [Shërbimi Civil]
[edit]- Përbërja e shërbimit civil do të pasqyrojë shumëllojshmërinë e popullit të Kosovës, duke marrë në konsideratë parimet e barazisë gjinore, të njohura ndërkombëtarisht.
- Një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës.