Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli VIII
Appearance
←Kapitulli VII | Kushtetuta e Republikës së Kosovës Kapitulli VIII (Gjykata Kushtetuese) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës |
Kapitulli IX→ |
Neni 112 [Parimet e Përgjithshme]
[edit]- Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
- Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.
Neni 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
[edit]- Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
- Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit janë të autorizuar të ngrenë rastet në vijim:
- çështjen e përputhshmërisë së ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë, me Kushtetutën;
- përputhshmëria e Statutit të Komunës me Kushtetutën.
- Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Qeveria janë të autorizuar të ngrenë çështjet në vijim:
- konflikti në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës;
- përputhshmëria e referendumit të propozuar me Kushtetutën;
- përputhshmëria e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme me Kushtetutën;
- përputhshmëria e një amendamenti të propozuar kushtetues me marrëveshjet e detyrueshme ndërkombëtare, të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute dhe rishikimi i kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur;
- nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit.
- Komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt.
- Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
- Tridhjetë (30) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë të autorizuar të ngrenë çështjen nëse Presidenti i Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës.
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Gjykatat kanë të drejtë t’i referojnë Gjykatës Kushtetuese çështje përkitazi me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji, nëse ajo përputhshmëri është ngritur gjatë procedurës gjyqësore dhe gjykata referuese nuk është e sigurt për përputhshmërinë e ligjit të kontestuar me Kushtetutën dhe nëse vendimi i gjykatës referuese për rastin e caktuar, varet nga përputhshmëria e ligjit në fjalë.
- Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës.
- Jurisdiksioni shtesë mund të rregullohet me ligj.
Neni 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese]
[edit]- Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë (10) vjet përvojë profesionale përkatëse. Kualifikimet e tjera përkatëse rregullohen me ligj. Parimet e barazisë gjinore do të respektohen.
- Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.
- Vendimi për të propozuar shtatë (7) nga gjyqtarët, varet nga miratimi i dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Vendimi për të propozuar dy (2) gjyqtarët e tjerë, merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, por që mund të bëhet vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar ose garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
- Nëse mandati i gjyqtarit përfundon para mbarimit të mandatit të rregullt, emërimi i gjyqtarit të ri bëhet në pajtim me këtë nen, me mandat të plotë, pa të drejtë rizgjedhjeje.
- Zgjedhja e Kryetarit dhe Zëvendëskryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bëhet nga gjyqtarët të Gjykatës Kushtetuese me votim të fshehtë të gjyqtarëve të Gjykatës, për mandat trevjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e gjyqtarit.
Neni 115 [Organizimi i Gjykatës Kushtetuese]
[edit]- Gjykata Kushtetuese përcakton organizimin e vet të brendshëm, rregulloren e punës, proceset e vendimmarrjes dhe çështje të tjera organizative në pajtim me ligjin.
- Gjykata Kushtetuese publikon raportin vjetor.
Neni 116 [Efekti Juridik i Vendimeve]
[edit]- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
- Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
- Përveç nëse është përcaktuar ndryshe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i ligjit, i aktit ose i veprimit hyn në fuqi në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës.
- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpallet në Gazetën Zyrtare.
Neni 117 [Imuniteti]
[edit]- Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga detyra për vendimet e marra, mendimet e shprehura dhe veprimet e marra brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.
Neni 118 [Shkarkimi]
[edit]- Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.