Kushtetuta e Kosovës/Kapitulli XI
Appearance
←Kapitulli X | Kushtetuta e Republikës së Kosovës Kapitulli XI (Sektori i Sigurisë) nga Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës |
Kapitulli XII→ |
Neni 125 [Parimet e Përgjithshme]
[edit]- Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet.
- Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës mbrojnë sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithëve në Republikën e Kosovës. Institucionet veprojnë me transparencë të plotë dhe në pajtim me standardet demokratike e me të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht. Institucionet e Sigurisë duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.
- Republika e Kosovës respekton plotësisht të gjitha marrëveshjet e aplikueshme ndërkombëtare dhe ligjin përkatës ndërkombëtar dhe bashkëpunon me organet ndërkombëtare të sigurisë e me homologët rajonalë.
- Kontrolli civil dhe demokratik mbi institucionet e sigurisë garantohet.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës mbikëqyr buxhetin dhe politikat e institucioneve të sigurisë, sikur rregullohet me ligj.
Neni 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës]
[edit]- Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgoj pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
- Forca e Sigurisë e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.
- Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila gjithmonë i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.
- Forca e Sigurisë e Kosovës është profesioniste, pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohet nga shtetasit e Republikës së Kosovës.
- Komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Qeverisë. Organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.
Neni 127 [Këshilli i Sigurisë i Kosovës]
[edit]- Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përgatit strategjinë e sigurisë për Republikën e Kosovës. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Republikën e Kosovës.
- Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës kryesohet nga Kryeministri me mbështetje nga Qeveria, përveç gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, sikurse është parashikuar me këtë Kushtetutë.
- Presidenti i Republikës së Kosovës mund të kërkojë takime të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, dhe Këshilli është i obliguar të bashkërendojë punën e tij ngushtësisht me Presidentin. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet ndërkombëtare.
- Anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës emërohen dhe shkarkohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 128 [Policia e Kosovës]
[edit]- Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
- Policia e Republikës së Kosovës është profesioniste dhe pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.
- Kryeministri emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës me rekomandimin e Qeverisë dhe në pajtim me ligjin. Organizimi i brendshëm i Policisë së Kosovës, rregullohet me ligj.
- Policia e Republikës së Kosovës ka zinxhir të unifikuar komandues në tërë Republikën e Kosovës, me stacione policore të cilat korrespondojnë me kufijtë komunalë. Policia e Kosovës lehtëson bashkëpunimin me autoritetet komunale dhe udhëheqësit e bashkësive përmes themelimit të Këshillave Lokale, sikur është rregulluar me ligj. Përbërja etnike e policisë brenda një komune duhet të pasqyron, deri në shkallën më lartë të mundshme, përbërjen etnike të popullsisë brenda komunës përkatëse.
- Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për kontrollin e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.
Neni 129 [Agjencia e Kosovës për Inteligjencë]
[edit]- Agjencia e Kosovës për Inteligjencë zbulon, heton dhe mbikqyr kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës.
- Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është profesioniste,politikisht e paanshme, shumetnike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Kuvendi në mënyrën e përcaktuar me ligj.
- Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri, pas konsultimit me Qeverinë, së bashku emërojnë Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kualifikimi dhe mandati, rregullohen me ligj.
- Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri marrin të njëjtat informacione në lidhje me inteligjencën.
Neni 130 [Autoriteti Civil i Aviacionit]
[edit]- Autoriteti Civil i Aviacionit të Republikës së Kosovës rregullon veprimtarinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës dhe është ofrues i shërbimeve të navigacionit ajror, sikur është përcaktuar me ligj.
- Autoriteti Civil i Aviacionit bashkëpunon plotësisht me autoritetet relevante ndërkombëtare dhe vendore, të përcaktuara me ligj.
Neni 131 [Gjendja e Jashtëzakonshme]
[edit]- Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur:
- ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes;
- ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike;
- ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
- Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.
- Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
- Nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
- Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej.
- Kuvendi mund të vendosë kufizime të tilla, sipas nevojës, për sa i përket kohëzgjatjes dhe shkallës së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.
- Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.
- Ligji përcakton parimet, lëmit dhe mënyrën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara si pasojë e kufizimeve të vendosura gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.