Jump to content

Page:Kanuni i Lek Dukagjinit.pdf/10

From Wikisource
This page has been validated.

1. Shkuesi asht ndermjetsi te dhandrri e te nusja (te djali e te vajza), të mos të luejn fjalet as njana as tjetra lagje.
2. Shkuesi ka tager mbi 50 grosh të shkuesit, per kpucë, të preme prej kanuje.
3. Kpucët e shkuesit e kan vaden në ditë qi të mirret nusja.
4. Shkuesin e gjen a shpija e vajzës a shpija e djalit.
5. Kpucët e shkuesit i ban gjith-herë shpija e dhandrrit, edhe ne e shenjoft shkuesin shpija e nuses.
6. Shkuesi ka tager me folë sa per prindt e vajzës, ashtu edhe per prindt e djalit.
7. Perlimi i shkuesit asht me hecë per të marrun vesht, per me çue paret me t’a’n a të vllan e dhandrrit te prindja e vajzës.
8. Shkuesi ka tager m’u perzie në çdo punë ndermjet prindës së djalit e të vazës, mje në ditë të martesës.

NYE I GJASHTËMBDHETËT.
Fejesa

§. 39. Të ndaluemt e martesës në Kanun.

Në fejesë varzash do të shikjohet:
a) Të mos jetë gjak e gjini;
b) Të mos jetë të njij fisit;
c) Të mos të jetë mesë fisit të djalit, qi do me e nxanë;
d) Të mos të jetë grueja e lshume;
e) Të mos të ketë kumari:
1) në të peshuem në derë të Kishës;
2) në kunorë;
3) në të marrun të flokvet;
4) të mos të jetë vllaznue me gjak të pim.
Kanuja s’e ban fejesen e martesen, kur të ndermjetson ndalimet e naltpermenduna, edhe në katerqind breza me kenë (me gabue kush kundra këtyne ndalimeve, fisi i vet e giobitë, e qillon qi edhe shpin i a djegë).
Në fejesë të lirë asht kanu qi të shkoje shkuesi e i ati - a i vllaj – i djalit te prindja e vajzës, per me çue shejin në natë të dame.
Të himit n’anë, shkuesi do të perpushë zjarmin, para se të lypë vajzen; si t’a perpush zjarmin, flet.
Si të ketë hanger darkë, i ati i dhandrrit do t’i apë shkuesit në dorë si paret, si shejin. Shkuesi si të njehë paret më qethit, do të çohet më kambë, e lshon në dorë të t’et të vajzes si paret, si shejin.

§. 40. “ Nuse pa shkuesi s’bahet”.

Vajza e grabitne a e hikne, me gjetë burrë, nuk mund të stoliset si nuse; do të shkojë vajzënisht – me petka vajzënijet – per arsye, qi u muer e shkoi jasht kanujet pa shkues.

NYE I SHTATËMBDHETËT.
Sheji.
“Sheji, mje ke të hjekish dorë, t’a ban nierin t’andin”.

§. 41. Percaktimi i Shejit.

Sheji perbahet prej njij unaze të remët a t’argjanët (tash vonë), se arit s’i dihet fija nder malci t’ona. “Unaza e dhetë grosh” janë me kanun. Sheji as ndrrohet as kthehet per të gjallët t’atij, qi e xen vajzen. Me shej perdorohet vajza, e, po duelen fjalet, prindja e vajzës shpis së dhandrrit i kan nji gjak.