Robëria
E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kshtu si je!
Po kur të të shoh të lirë
do të të dua më mirë.
Qani pyje, fusha, gurë,
qani male me deborë!
Shqipëria mbet e gjorë
dhe nukë sheh dritë kurrë;
një mjegull e keq' e shkretë
e ka mbuluar përjetë!
Një gazep, një errësirë,
vetëtit edhe gjëmon!
Rrojmë me zemër të ngrirë,
nga frika kërkush s'gëzon!
Njërzit kurrë s'këndojnë
dhe bilbiletë vajtojnë!
Qiameti, shkretëtira!
Zogu vetë zë folenë,
njeriu le memëdhenë,
se mbretëron egërsira!
Për Shqipëri dëshërojmë
se në vend të huaj rrojmë.
Robërinë si duron,
o moj Shqipëri e mjerë?
Shpëtove vende të tjerë,
vetë nën zgjedhë rron!
Shqipëtarë bëni benë
të lëftoni për atdhenë.
E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kështu si je!
Po kur të të shoh të lirë,
do të të dua më mirë
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.
| |