Vaji i Bylbylit
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
pse po gjimon?
Pushoi murlani
me duhi t’vet;
bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.
Gjith; fushët e malet
blerim e mbëloj;
livadhi e pema
gjithkah lulzoj.
Ndër pyje e orgaja,
n’ma t’mirin vend,
me rreze dielli
po e gëzon gjith’kend.
E tuj gjimue
shikon rreth e rreth
nji prrue qi veret
rrjedh nëpër gjeth.
A çil kafazi,
bylbyl, flutro;
ndër pyje e orgaja,
bylbyl, shpejto.
Kerkush ma hovin
atje s’ta pret,
me zeher haejen
kerkush s’ta qet.
Kafaz ke qiellin,
epshin pengim,
e gjith ku t’rreshket
shkon fluturim.
Nëpër lamije
ke me gjet mel,
për gjith’prendverën
njajo buk t’del.
E kur t’zitë e di
ndër prroje pi,
te njato prroje
qi ti vetë di.
Tash pa frigë çerdhen
e ban ndoj lis;
nuk je si’i nieri
qi nuk ka fis
E kur t’vin zhegu,
kur dielli shkon,
ti ke me këndue
si ke zakon.
Rreth e rreth gjindja
me t’ndie rri;
prej asi vendit
dahen me zi.
A çilë kafazi,
bylbyl, flutro;
ndër pyje e ograja,
bylbyl, shpejto.
Ndër tranfofille,
ndër zamakë nga;
ku qeshet kopshti,
idhnim mos mba.
Po shkrihet bora,
dimni po shkon;
biylbyl i vorfën ,
pse po gjimon?
This work is in the public domain in countries where the copyright term is the author's life plus 70 years or less. See Copyright.
| |